Mali i Zi miraton dy ditë leje të paguar në muaj për gratë me cikle menstruale të dhimbshme
Deputetët e Malit të Zi kanë miratuar ndryshime në Ligjin për Sigurimin Shëndetësor, duke u njohur grave të diagnostikuara me dismenorre sekondare të drejtën për dy ditë leje të paguar çdo muaj.
Masa vlen për gratë që vuajnë nga dhimbje të forta menstruale të lidhura me patologji të diagnostikuara, si endometrioza, miomat, polipet endometriale, inflamacioni i vezoreve apo vezoret policistike.
Sipas ligjit, kjo gjendje do të trajtohet si paaftësi e përkohshme për punë, pra si një formë e veçantë pushimi mjekësor.
Diagnoza duhet të konfirmohet nga mjeku specialist, ndërsa dokumentacioni mjekësor do të rinovohet çdo vit dhe do t’i dorëzohet punëdhënësit sipas afateve të përcaktuara.
Nisma synon të mbrojë shëndetin e grave, të reduktojë paragjykimet në vendin e punës dhe të krijojë kushte më të përshtatshme për ato që përballen me probleme të rënda gjatë ciklit menstrual.




