Biznesmeni shqiptar Ermal Beqiraj, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK për dosjen e abuzimeve me tenderët e AKSHI-t, është arrestuar në Francë pas një episodi të pazakontë që ka alarmuar autoritetet e sigurisë.
Sipas raportimeve të mediave franceze, Beqiraj u kap duke pilotuar një avion të vogël civil mbi centralin bërthamor të Penly në Normandi, një zonë me kufizime të forta sigurie.
Avioni dyshohet se po fluturonte në rreth 3.500 këmbë, nën lartësinë e lejuar në zonën e mbrojtur. Forcat Ajrore Franceze reaguan menjëherë dhe e detyruan mjetin të ulej në aeroportin e Albert, ku Beqiraj u ndalua nga policia.
Rasti ka marrë përmasa edhe më serioze pas kontrollit fizik të biznesmenit shqiptar. Sipas raportimeve, në rrobat e tij janë gjetur tre pajisje AirTag, ndërsa autoritetet franceze po shqyrtojnë disa pista hetimore dhe nuk kanë përjashtuar as mundësinë që fluturimi të ketë pasur një qëllim tjetër përtej një shkeljeje të zakonshme të hapësirës ajrore.
Gjatë marrjes në pyetje, Beqiraj dyshohet se ka dhënë shpjegime të paqarta për devijimin e fluturimit, duke pretenduar se në atë moment po fliste në telefon me nënën.
Pas një procedure të përshpejtuar, ai është dënuar me 7 mijë euro gjobë për shkeljen e hapësirës ajrore dhe më pas i është dorëzuar strukturave franceze kundër krimit të organizuar.
Beqiraj, pronar i kompanisë “Soft & Solution”, kërkohej nga SPAK me masën “arrest me burg” dhe akuzohet për disa vepra penale që lidhen me tenderë publikë, grup të strukturuar kriminal, korrupsion, pastrim parash dhe shkelje të barazisë në tenderë.
Sipas akuzës, ai dyshohet se ka përfituar mbi 1.1 milion euro nga tenderë publikë përmes metodave të paligjshme, përfshirë presionin dhe ndërhyrjet ndaj konkurrencës.
Tashmë pritet që autoritetet franceze të vijojnë procedurat për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë, ku do të përballet me drejtësinë për akuzat e ngritura nga SPAK.




