Tre vite burg për thirrjet kundër pllakës së Erdoğan në Laç, Leon Molla: Po dënohem për fjalën e lirë
Gjykata e Lezhës ka dënuar me tre vite burg Leon Mollën, 42-vjeçarin nga Mirdita që jeton prej vitesh në Francë, për thirrjet e bëra në rrjetet sociale kundër pllakës përkujtimore të presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan në qytetin e Laçit.
Molla është shpallur fajtor për veprën penale “Nxitja e urrejtjes ose grindjeve”. Hetimet ndaj tij nisën në vitin 2022, pasi përmes videomesazheve dhe postimeve në Facebook kërkoi heqjen e pllakës së vendosur në lagjen e rindërtuar me financimin e qeverisë turke. Sipas dosjes së prokurorisë, ai kishte nxitur edhe përdorimin e lëndës plasëse për shkatërrimin e saj. Çështja ishte dërguar për gjykim në tetor të vitit 2024.
Gjykimi është zhvilluar në mungesë, pasi Molla jeton në Francë që prej vitit 2012 dhe raportohet se është në kërkim ndërkombëtar.
Ky nuk është dënimi i parë ndaj tij. Në vitin 2020, Gjykata e Lezhës e dënoi me dy vite burg për nxitjen e protestës së zhvilluar në Qafë-Mollë të Mirditës, gjatë së cilës u hoq dhe u shkatërrua flamuri turk i vendosur në digën e një hidrocentrali.
Pas vendimit të ri, Leon Molla reagoi publikisht, duke pretenduar se po ndëshkohet për bindjet dhe deklaratat e tij politike. Ai e cilësoi dënimin si cenim të lirisë së shprehjes dhe akuzoi sistemin e drejtësisë se po përdoret kundër kritikës publike.
Molla këmbëngul se qëndrimet e tij nuk synojnë nxitjen e urrejtjes, por kundërshtimin e vendosjes së simboleve të huaja në territorin shqiptar. Edhe pas dënimit të vitit 2020, ai kishte deklaruar se nuk ushqente urrejtje ndaj kombësive, feve apo etnive të tjera.
Vendimi mund të ankimohet në shkallët e tjera të gjyqësorit.ght. Early reports indicate that investigators have identified several crucial leads, prompting renewed efforts at the scene.



