Një ngjarje tragjike është shënuar këtë të mërkurë në fshatin Domen të Postribës, ku një zjarr i fuqishëm përfshiu një banesë dhe u mori jetën një nëne 24-vjeçare dhe dy fëmijëve të saj, 3 vjeç dhe 1 vjeç e gjysmë.
Sipas Policisë, ngjarja ndodhi rreth orës 13:10. E reja kishte shkuar me dy fëmijët në shtëpinë e prindërve të saj për ta pastruar, kur banesa u përfshi nga flakët.
Ndërhyrja e zjarrfikësve dhe Policisë u vështirësua ndjeshëm nga terreni i thepisur, pasi banesa ndodhej rreth 30 minuta në këmbë larg rrugës automobilistike. Kur ekipet mbërritën në vendngjarje, objekti ishte pothuajse tërësisht i shkrumbuar.
Familja mësohet se jetonte në fshatin Golem dhe ishte kthyer nga Gjermania më 15 korrik.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për të zbardhur shkakun e zjarrit dhe rrethanat e plota të tragjedisë.




